
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të fotografive të tezës së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke garantuar se procesi i Maturës Shtetërore 2026 po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në zbatim të rreptë të rregullores.
Sipas ministrisë, publikimi i tezës ka ndodhur pasi provimi kishte nisur dhe nuk ka ndikuar në zhvillimin apo integritetin e testimit.
MAS bën të ditur se rasti është identifikuar në një qendër provimi në Qarkun e Kukësit, ndërsa maturanti që publikoi tezën është përjashtuar menjëherë nga provimi. Gjithashtu, paralajmërohet se masa do të merren jo vetëm ndaj nxënësit, por edhe ndaj zinxhirit të administratorëve përgjegjës në qendrën e provimit.
Reagimi:
Provimi i Maturës Shtetërore 2026 vijon në zbatim strikt të Rregullores së Maturës Shtetërore me transparencë dhe siguri
Ministria e Arsimit garanton maturantët, prindërit, mësuesit dhe opinionin publik se provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i Maturës Shtetërore 2026, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në zbatim strikt të Rregullores së Maturës Shtetërore, duke siguruar standardet më të larta të testimit për mbi 26,600 maturantët në të gjithë vendin.
Provimi i dytë i Maturës Shtetërore 2026 po zhvillohet normalisht në 144 qendra provimi, në mjedise qetësie, rregulli, transparence dhe sigurie të lartë.
Në lidhje me publikimin në rrjetet sociale të fotografive të tezës së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Ministria e Arsimit sqaron se ky akt ka ndodhur pasi provimi ka nisur dhe nuk ndikon në asnjë mënyrë në zhvillimin apo integritetin e tij.
Një veprim i tillë nuk mund të zbehë punën dhe angazhimin e mijëra mësuesve që kanë punuar me maturantët, e mbi 2 mijë administratorëve të provimit dhe punonjësve të strukturave arsimore, të cilët kanë ndjekur me përkushtim përgatitjen dhe mbarëvajtjen e testimit për Maturën Shtetërore.
Aktualisht është evidentuar se teza është publikuar nga një qendër provimi në Qarkun e Kukësit dhe maturanti që ka publikuar tezën është përjashtuar menjëherë nga provimi. Siç është bërë e ditur me herët, masat do të aplikohen si ndaj maturantëve që thyejnë rregulloren, ashtu edhe ndaj të gjithë zinxhirit të administruesve të procesit në qendrën e provimit.
Ministria e Arsimit dënon çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë e procesit të Maturës Shtetërore dhe rithekson se çdo shkelje e rregullave do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin dhe rregulloren në fuqi.
Përgatitjet për Maturën Shtetërore 2026 kanë qenë të plota dhe të mirëkoordinuara, nga hartimi i testeve me standarde të larta profesionalizmi dhe sigurie, certifikimi i personelit administrues, zhvillimi i konsultimeve në shkolla, shpërndarjen e testeve model nga Qendra e Shërbimeve Arsimore tek organizimi i testimeve provë, si dhe ofrimi i mbështetjes psikologjike për maturantët.
Për Ministrinë e Arsimit, prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti dhe garantimi i të drejtës së secilit për t’iu nënshtruar provimeve në kushte të barabarta, ndaj angazhimi për një Maturë Shtetërore të drejtë, të ndershme dhe meritokratike do të vijojë pa ndërprerje deri në përfundim të të katër testimeve.