
Protesta qytetare e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë shënoi numrin më të lartë të pjesëmarrësve që prej nisjes së tubimeve kundër qeverisë dhe klasës politike.
Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë, por edhe ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare.
Gjatë protestës u dëgjuan slogane si “Rama jep dorëheqjen”, “Rama ik”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e elitës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej vitesh.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar zhvillimin e një tjetër proteste edhe sot, në orën 18:00. Tubimi do të nisë nga Sheshi Skënderbej dhe do të përfundojë para godinës së Kryeministrisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në reagimet e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe figura publike që kanë shprehur mbështetje për lëvizjen qytetare.
Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projektit të Zvërnecit është shndërruar gradualisht në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe sistemit politik në tërësi.
Kjo u reflektua edhe në mesazhet e protestuesve, ku ndër sloganet më të dëgjuara ishin: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, duke shprehur pakënaqësinë e një pjese të qytetarëve ndaj gjithë klasës politike shqiptare.