Vendosni fjalën kyçe....

“S’tërhiqemi deri në dorëheqjen e Ramës” – Entuaziazëm, energji e vrull në ditën e nëntë të protestës


Mijëra qytetarë dolën sot në protestën ë nëntë radhazi në Tiranë kundër qeverisë Rama e resortit në Zvërnec. Mijëra njerëz nga grupmosha të ndryshme u bashkuan për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.

Tubimi, i cili po vazhdon prej nëntë ditësh radhazi në Tiranë, konsiderohet ndër manifestimet më të mëdha të viteve të fundit. Qëllimi kryesor i protesutesve është dorëheqja e kryeministrit Rama të cilin e bëjnë përgjegjës për keqqeverisjen, korrupsionin dhe mungesën e perspektive për shqiptarët.

Protestuesit theksojnë shqetësimet për problemet sociale dhe ekonomike që, sipas tyre, kanë prekur vendin prej vitesh. Po kështu protestuesit kanë përmendur vështirësitë në sistemin arsimor dhe shëndetësor, mungesën e investimeve në infrastrukturë, emigrimin masiv të të rinjve dhe pensionet e ulëta që rëndojnë jetën e të moshuarve. Për shumë prej tyre, protesta përfaqëson një përpjekje të përbashkët për të kërkuar ndryshim dhe një të ardhme më të mirë për vendin.

Gjatë marshimeve janë dëgjuar slogane të ndryshme, mes të cilave “Atdheu nuk shitet”, “Shqipëri e Re”, “Edi Rama dorëhiqu”, “Opozitë e shitur” dhe “Shqipëri Etnike”, të cilat kanë shoqëruar protestuesit në rrugët e kryeqytetit.

Manifestimi ka ndikuar ndjeshëm në qarkullimin e Tiranës, duke bllokuar disa prej akseve kryesore. Megjithatë, organizatorët dhe pjesëmarrësit thonë se kanë marrë mbështetje të vazhdueshme nga qytetarë të shumtë, të cilët kanë shprehur solidaritetin e tyre përmes brohoritjeve dhe sinjaleve të automjeteve.

Jehona e protestës është përhapur edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Komunitete shqiptare në vende të ndryshme europiane, përfshirë Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën dhe Italinë, kanë organizuar grumbullime mbështetëse, duke shprehur solidaritet me protestuesit në Tiranë dhe duke kërkuar ndryshime politike në vend.

Paralelisht me zhvillimet në kryeqytet, protesta janë organizuar edhe në qytete të tjera si Korça, Elbasani dhe Vlora. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në marshime dhe aktivitete publike, duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike dhe duke kundërshtuar projekte të caktuara, mes tyre edhe ndërtimin e resortit në zonën e Zvërnecit.