Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të ditës së nëntë radhazi të protestave kundër qeverisë, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët janë mbledhur në qendër të Tiranës me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, ndërsa kanë përsëritur thirrjet që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit, si: “Edi Rama, dorëhiqu”, “Shqipëri e Re” dhe “Atdheu nuk shitet”.
Protestuesit, disa prej tyre të veshur me simbole kombëtare dhe me plis në kokë, kanë marshuar në rrugët e kryeqytetit duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe duke kërkuar ndryshime politike.
Tubimet nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë. Protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit, si Durrësi, Shkodra, Vlora dhe Pogradeci, ndërsa mbështetje ka ardhur edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë që qeveria të marrë përgjegjësi politike dhe të japë përgjigje për shqetësimet e ngritura nga qytetarët.
