
Shqiptarë të diasporës kanë zhvilluar protesta në disa shtete të ndryshme, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projekteve të qeverisë shqiptare, përfshirë ato që lidhen me zhvillimet në zonën e Zvërnecit.
Tubime janë raportuar në qytete të ndryshme të Italisë, përfshirë Milanon, si dhe në Londër dhe New York, ku pjesëmarrësit kanë dalë në rrugë për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me vendimmarrjen e qeverisë dhe ndikimin që, sipas tyre, projektet mund të kenë mbi mjedisin dhe pasuritë natyrore.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Reagime janë shënuar edhe në Zvicër, ku një grup shqiptarësh u mblodhën para Konsullatës së Shqipërisë. Gjatë protestës, pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Përmes thirrjeve dhe pankartave, protestuesit theksuan mbështetjen e tyre për kauzat e ngritura nga qytetarët në Shqipëri, ndërsa kërkuan më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.