Vendosni fjalën kyçe....

SHBA/ Të shtëna masive në një festival në Ohio, plagosen të paktën 12 persona


Të paktën 12 persona mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri pranë një festivali të njohur komunitar në Toledo të shtetit amerikan të Ohajos, ndërsa policia vijon kërkimet për autorët e ngjarjes.

Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën pranë festivalit vjetor “Old West End Festival”, një aktivitet që mbledh mijëra vizitorë dhe përfshin koncerte, panaire, guida në banesa historike dhe aktivitete të tjera kulturore, përcjell AP.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Toledos, Joe Heffernan, deklaroi se dyshohet se të paktën dy persona kanë hapur zjarr ndaj njëri-tjetrit, duke plagosur një numër të madh qytetarësh që ndodheshin në zonë. Deri disa orë pas incidentit, asnjë i dyshuar nuk ishte arrestuar.

Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, ndërsa mosha e viktimave varion nga 14 deri në 61 vjeç. Shumica e tyre janë të rinj në fillim të të njëzetave.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e panikut, ku pjesëmarrësit vrapojnë për t’u larguar nga zona ndërsa dëgjohen të shtënat. Ekipet e emergjencës dhe policia ndërhynë menjëherë për t’u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

Guvernatori i Ohajos, Mike DeWine, reagoi pas ngjarjes duke shprehur shqetësimin e tij.

“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën në Toledo sonte. Festivalet verore duhet të jenë vende të sigurta ku familjet të kalojnë kohë së bashku pa frikën e dhunës”, deklaroi ai.

Dëshmitari Kevin Berry tha se po ndiqte një koncert në arboretumin ku zhvillohej festivali kur dëgjoi disa të shtëna.

“Të gjithë u shtrimë përtokë”, tregoi ai, duke shtuar se më pas pa një armë të hidhej në tokë vetëm pak metra larg tij. Berry, i cili ka trajnim mjekësor dhe ka shërbyer në Marinën amerikane, ndihmoi të plagosurit deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.

Autoritetet lokale po shqyrtojnë nëse festivali do të vazhdojë sipas programit gjatë fundjavës, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve vijojnë.