Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj kombeve europiane lidhur me menaxhimin e emigracionit, duke e cilësuar valën e ardhurve si një “pushtim” të brigjeve të tyre.
Deklaratat e tij u bënë gjatë një fjalimi zyrtar në Normandi të Francës, në kuadër të 82-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate (D-Day) që çliroi Europën e pushtuar nga nazistët në vitin 1944.
Hegseth bëri një paralelizëm të fortë mes zbarkimit historik ushtarak dhe situatës aktuale të sigurisë në kontinent.
“Mjerisht, sot, plazhe të ndryshme europiane po mbyten nga ideologji të ndryshme të rrezikshme. Plazhet në Spanjë, në Itali, në Greqi dhe Bullgari. Varka dhe burra mbërrijnë vazhdimisht. Kur do të bëjnë diçka kryeqytetet europiane për këtë pushtim?” – deklaroi Hegseth gjatë ceremonisë, përcjell BBC.
Sipas shefit të Pentagonit, disa liderë europianë janë treguar tepër “komodë” me liritë e tyre të fituara me gjak, duke harruar se “liria nuk është falas”. Ai shtoi se kjo liri duhet të mirëmbahet nga gjenerata aktuale e udhëheqësve dhe luftëtarëve, përndryshe ajo që u arrit në vitin 1944 do të mbetet thjesht diçka e përkohshme.
Linja e ashpër e administratës Trump dhe përplasjet me Londrën
Komentet e Hegseth pasqyrojnë qasjen e prerë të administratës Trump, e cila e konsideron goditjen e emigracionit të paligjshëm si një shtyllë kryesore të axhendës së saj politike. Vetë Presidenti Donald Trump ka deklaruar më herët në OKB se vendet europiane po shkojnë “drejt ferrit” për shkak të emigracionit të pakontrolluar.
Kjo retorikë vjen vetëm dy ditë pasi Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, shkaktoi një përplasje diplomatike me Londrën. Vance ia faturoi vrasjen e studentit britanik 18-vjeçar, Henry Nowak, “pushtimit masiv të emigrantëve”.
Megjithatë, Shërbimi i Ndjekjes Penale në Britani (CPS) konfirmoi se autori i vrasjes, Vickrum Digwa, ka lindur shtetas britanik. Reagimi i Downing Street ishte i menjëhershëm, duke kritikuar ndërhyrjen e zyrtarëve të huaj në demokracinë e tyre dhe duke cituar familjen e viktimës, e cila ka kërkuar që ngjarja të mos përdoret për të krijuar përçarje shoqërore.
Çështja e emigracionit mbetet një nga temat më të nxehta në Europë, ku partitë që mbështesin politika të ashpra kufitare po shënojnë rritje të ndjeshme në sondazhe.
Sipas të dhënave më të fundit, mes prillit 2025 dhe marsit 2026, janë regjistruar rreth 169,341 mbërritje nga deti në UK, Greqi, Itali, Spanjë dhe Qipro, ku kalimet drejt Britanisë me gomone përmes Kanalit të Manshit përbënin rreth 23% të këtij totali.
