
Qytetarët kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama si dhe anulimin e ligjit për investimet strategjike dhe paketën e maleve.
Me thirrjet “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ata theksuan se janë aty jo vetëm për Zvërnecin, po për gjithë Shqipërinë, kundër betonizimit të saj, kundër keqqeverisjes, arrogancës e dhunës së qeverisë së Ramës.
“Kini kujdes se do tentojnë ta na quajnë të përçarë. Nuk jemi të përqarë, jemi një trup i vetëm që kemi një kërkesë: Rama ik. Nga një protestë e cila nisi nga indinjata kur sheh se si shteti është i pafuqishëm përballë kriminelit që tërheq zvarrë qytetarin është kthyer në një protestë mbarë popullore të të gjithë njerëzve që kërkojnë një Shqipëri tjetër, që është e jona: Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve! Nga këto 6 ditë proteste, ne kemi shumë arsye për të protestuar dhe duhet të bërtasim më fort për të gjithë shokët që ikën në emigrim dhe të punojnë në rrugët e botës. Protesta nuk ka një grup që e drejton, por ka kërkesa të qarta që janë artikuluar. Kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Rama dhe e gjithë qqeverisë që nuk përfaqëson më dëshirat e popullit. Duam të anullojmë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura që i hap rrugë shkatërrimit të tyre siç ka ndodhur me shkatërrimin e Nartës. Narta është e jona. Kërkojmë anulimin e ligjit për investitorët strategjikë që po grabit pronën publike dhe po ua jep këtyre njerëzve që janë të pushtetit. Shqipëria është e jona. Kërkojmë anulimin e Paketës së Maleve që i grabit malet tona dhe ua jep biznesmenëve.” tha një protestuese.








“Për të gjithë ata që pyesin kush e organizon protestën: Protestën e organizon mllefi i qytetarëve. Qytetarët janë tradhtuar nga politikanët. Këtë protestë e keni organizuar ju, me të gjitha të këqijat që keni bërë”, tha një protestuese.
Një ditë më partë protestuesit kërkuan anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec, duke ripërsëritur 5 kërkesat. Protestuesit kërkuan shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe dorëheqjen e qeverisë.
Përveç Tiranës, që sot mbajti protestën e pestë radhazi kundër keqqeverisjes së kryeministrit Rama, protesta u zhvilluan dy ditët e fundit edhe në Durrës e Vlorë ndërsa sot vargut iu bashkua edhe Korcca, Elbasani e Kukësi.
Në Tiranë, qytetarët mbushën bulevardin Dëshmorët e Kombit ndërsa kërkesat e tyre mbeten të pandryshuar për dorëheqjen e kryeministrit, anulimin e ligjit për Investime Publike dhe Paketën e Maleve.
Pjesëmarrësit në protestë brohoritën në kor kërkesën për largimin e kryeministrit ndërsa dënuan abuzimin me pushtetin nga ana e socialistëve, grabitjen e pronave, dhunën e arrogancën e qeverisë.


