Vendosni fjalën kyçe....

Trump siguron Izraelin: Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin pa çmontimin e programit bërthamor


Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka garantuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se nuk do të firmosë asnjë marrëveshje përfundimtare me Iranin pa çmontimin e plotë të programit bërthamor iranian dhe largimin e gjithë uraniumit të pasuruar nga territori iranian.

Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë izraelit, sipas të cilit Uashingtoni po informon vazhdimisht Izraelin mbi negociatat për një memorandum mirëkuptimi që synon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e bisedimeve për një marrëveshje finale mbi çështjet e pazgjidhura, përcjell Ynet.

Sipas zyrtarit, Netanyahu zhvilloi një telefonatë me Trump të shtunën në mbrëmje, ku i theksoi se Izraeli do të ruajë “lirinë e veprimit” ndaj çdo kërcënimi në rajon, përfshirë edhe Libanin. Trump, sipas të njëjtit burim, e ka mbështetur sërish këtë parim.

“Trump e bëri të qartë se do të qëndrojë i palëkundur në kërkesën për çmontimin e programit bërthamor iranian dhe largimin e gjithë uraniumit të pasuruar nga territori i Iranit”, tha zyrtari izraelit.

Ai shtoi se presidenti amerikan nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje përfundimtare nëse këto kushte nuk përmbushen nga Teherani.

Ndërkohë, Netanyahu nuk ka komentuar publikisht mbi detajet e marrëveshjes së mundshme SHBA-Iran. Në një reagim në rrjetin social X, ai iu referua vetëm incidentit me të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë, pa përmendur negociatat me Iranin.

Sipas raportimeve, Izraeli aktualisht duket se po harmonizon qëndrimet e tij me mesazhet e Trump, vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan deklaroi se Netanyahu “do të bëjë çfarëdo që unë dua”.

Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë përfshin konkretisht “liria e veprimit” që Izraeli synon të ruajë në rajon, sidomos në Gaza dhe Liban, ku operacionet ushtarake izraelite varen ndjeshëm nga koordinimi me Uashingtonin.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Irani zotëron rreth 11 ton uranium të pasuruar në nivele të ndryshme. Raportet sugjerojnë se pikërisht ky stok është në qendër të kërkesave amerikane për largimin e materialit bërthamor nga territori iranian.

Zyrtari izraelit theksoi gjithashtu se Netanyahu i ka shprehur Trumpit “vlerësimin për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe afatgjatë ndaj sigurisë së Izraelit”.