
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar atë si pengesën kryesore për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në një reagim publik, Bardhi deklaroi se problemi kryesor për Shqipërinë europiane lidhet me mënyrën e qeverisjes së vendit nga mazhoranca aktuale.
Sipas tij, Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë 34 kushte për mbylljen e negociatave të Grupkapitullit të Themeloreve, kushte që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër korrupsionit, standardet zgjedhore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Bardhi pretendon se në dokumentet dhe qëndrimet e BE-së janë evidentuar shqetësime për vendimmarrje të Kuvendit që lidhen me çështje të imunitetit parlamentar, si dhe për raste të korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes.
Ai thekson se korrupsioni është cilësuar nga Bashkimi Europian si një “shqetësim vendimtar” për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke argumentuar se pa adresimin e këtyre problematikave, rruga europiane e vendit mbetet e vështirë.
“Ka vetëm një gjë që e ndal Shqipërinë europiane. Quhet Edi Rama. Për të mbyllur negociatat e anëtarësimit vetëm për Grupkapitullin e Themeloreve, BE-ja i vendosi Shqipërisë 34 kushte të rënda. Sepse Edi Rama mbrojti me votë në Parlament korrupsionin dhe i siguroi Belinda Ballukut imunitet nga arrestimi i SPAK-ut. Në 34 kushtet për Shqipërinë, Bashkimi Europian shpreh zyrtarisht keqardhje për vendimin e Parlamentit në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit të zbatojë standardet europiane për imunitetin.
Me një gjuhë të papërdorur më parë për Shqipërinë, BE-ja e quan korrupsionin “shqetësim vendimtar”, duke e rënduar pozicionin negociues të Shqipërisë.
Për herë të parë në një raport zyrtar publik, BE-ja identifikon sektorin e ndërtimit si kanal pastrimi parash përmes “transaksioneve jofinanciare” dhe e lidh këtë drejtpërdrejt me korrupsionin.
Për herë të parë në një dokument zyrtar negociues, BE-ja identifikon si problem për zgjedhjet rrjetet e patronazhimit: sistemin me të cilin PS kontrollon votën përmes administratës shtetërore.
Për herë të parë, BE-ja kërkon zgjedhje plotësisht në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR-it si kusht zyrtar për mbylljen e negociatave. Sepse zgjedhjet e Edi Ramës nuk kanë qenë kurrë të tilla.
BE-ja kërkon “mbikëqyrje efektive dhe të papenguar parlamentare, përfshirë komisionet hetimore”; një të drejtë që Rama ia ka mohuar sistematikisht opozitës. BE-ja kërkon edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që Rama i ka injoruar, vonuar ose nuk i ka zbatuar fare. Grupkapitulli i Themeloreve hapet i pari dhe mbyllet i fundit.
Por pa mbyllur kapitullin e Edi Ramës, Shqipëria nuk i mbyll dot negociatat.”