Vendosni fjalën kyçe....

Bie zjarr në një magazinë në Durrës, humb jetën punonjësi nga Bangladeshi


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një mgazinë pranë zonës së Fllakës në Durrës, ku nga zjarri i rënë ka humbur jetën një punonjës nga Bangladeshi.

Zjarri ra në një vend ku gatuhej ushqim për punonjësit ndërsa dyshohet se flakët janë shkaktuar nga një bombol gazi që përdorej për gatim.

Nga asfiksia ka gjetur vdekjen 25-vjeçari me inicialet O.M. nga Bangladeshi, ndërsa një punonjës tjetër, 30-vjeçari Ch.Ch. me origjinë nga Kenia është dërguar në spital.

“Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të subjektit me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, Sektor Rinia, ka rënë zjarr.

Si pasojë e zjarrit të rënë në ambientin ku gatuhej për punonjësit, (dyshohet nga bombula e gazit) ka ndërruar jetë, dyshohet nga asfiksia, shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladeshi, ndërsa shtetasi tjetër, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, po merr ndihmë mjekësore në spital.

Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, shkakun e rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.” – thuhet në njoftimin e policisë.