Debatet dhe ironitë nuk munguan në seancën plenare të Kuvendit, ku ministri Ulsi Manja iu përgjigj kryetarit të seancës, Niko Peleshit, pas një replike të mëhershme mes tyre.
Sapo mori fjalën në Kuvend, Manja tha se nuk iu dha mundësia më herët për t’iu përgjigjur akuzave të bëra nga Sali Berisha, ndërsa ironizoi Peleshin për mënyrën se si menaxhoi seancën.
“Z. kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të kërkoja edhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke”, deklaroi Manja.
Ai shtoi se ndjesa që i kishte kërkuar më herët Peleshit pa mikrofon kishte më shumë vlerë sesa ironitë publike në sallë.
“Dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në këtë sallë”, u shpreh ministri.
Manja deklaroi se e njeh rregulloren e Kuvendit, por kritikoi mungesën e mirëkuptimit për ndryshimin e rendit të diskutimeve.
“Nuk është e lehtë të përballesh me një dinozaur politik si Sali Berisha që ka 40 vjet që mbijeton në politikë me mjetet që di të përdorë më mirë: intrigën, presionin, baltën, shpifjen, shantazhin, shto tani në fund edhe gradën shkencore non grata”, tha ai.
Pas përfundimit të fjalës së Manjës, reagoi edhe Peleshi, i cili iu përgjigj me tone ironike.
“Nuk ma lejon rregullorja t’ju replikoj, por fjalët tuaja do t’i studioj për të ndryshuar mendim, por jo si të veproj”, deklaroi Peleshi.
