Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, një tjetër mbeti i plagosur rëndë dhe dy persona të rritur pësuan lëndime të lehta.
Përmes një mesazhi publik, Begaj shprehu dhimbjen për ngjarjen dhe ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke e cilësuar aksidentin si një tragjedi të rëndë.
“I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre!”, u shpreh Presidenti.
Ai u përcolli ngushëllime familjeve të fëmijëve që humbën jetën dhe uroi shërim të shpejtë për të miturin e plagosur.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital”, thuhet në reagim.
Begaj bëri thirrje për një hetim të plotë të ngjarjes dhe për masa konkrete në rritjen e sigurisë rrugore.
“Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit”, deklaroi ai.
Në përfundim, Presidenti theksoi rëndësinë e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
“Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!”, u shpreh Begaj.
