
Shenja të një ndryshimi në qëndrimin e Iranit janë shfaqur, por palët mbeten ende larg njëra-tjetrës për disa çështje thelbësore: The Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me çështjen, raportoi se ndërsa propozimi i ri i Iranit për t’i dhënë fund luftës përmban elementë kompromisi, ai mbetet larg qëndrimit të SHBA-së për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për programin bërthamor.
Edhe pas këtyre lëshimeve të kufizuara, Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk ishte “i kënaqur” me ofertën.
Sipas burimeve, propozimi iranian shkon një hap më tej duke ofruar diskutimin e kushteve të Teheranit për rihapjen e Hormuzit, nëse Shtetet e Bashkuara garantojnë ndalimin e sulmeve dhe heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane. Më parë, Irani kërkonte që SHBA të hiqte bllokadën si kusht paraprak për bisedime dhe të pranonte përfundimin e luftës përpara se të diskutohej menaxhimi i ngushticës dhe programi bërthamor.
Gjithashtu, sipas propozimit të ri, çështjet që lidhen me programin bërthamor mund të diskutohen në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane. Irani u ka sinjalizuar ndërmjetësve se është i gatshëm të zhvillojë bisedime në Pakistan në fillim të javës së ardhshme, nëse Uashingtoni e pranon propozimin.
Megjithatë, pavarësisht këtyre kompromisave të kufizuara, Trump tha se nuk ishte i kënaqur me ofertën e ardhur nga Teherani.
“Ata po kërkojnë gjëra për të cilat unë nuk mund të bie dakord,” tha ai.
Trump shtoi se zyrtarët amerikanë kanë folur me iranianët të enjten për ofertën dhe ngriti dyshime nëse Teherani do të pranojë ndonjëherë një marrëveshje të negociuar për t’i dhënë fund luftës.
“Ata kanë bërë përparime, por nuk jam i sigurt nëse do të arrijnë ndonjëherë atje,” tha ai.
Uashingtoni ka bërë të qartë se Teherani duhet të lejojë kalimin e lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit pa kushte paraprake. Nga ana tjetër, një zyrtar iranian tha se mosbesimi i Iranit ndaj SHBA-së është i thellë dhe se Teherani “nuk e kupton” pse amerikanët nuk morën pjesë në raundin e fundit të bisedimeve në Pakistan.
Trump paraqiti gjithashtu dy opsionet përpara tij në stilin e tij karakteristik:
“Ka opsione,” tha ai. “A duam të shkojmë dhe t’i godasim fort dhe t’i përfundojmë njëherë e përgjithmonë, apo duam të përpiqemi të bëjmë një marrëveshje — këto janë opsionet.”
Ai shtoi se preferenca e tij, “nga pikëpamja njerëzore”, është të mos rifillojë sulmet, dhe konfirmoi se ishte informuar gjatë natës për opsionet ushtarake nga komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, admirali Brad Cooper.
Një anëtar i lartë i parlamentit iranian, Mehdi Rahimi, mohoi versionin e Trump.
“Sa kohë që ekziston një bllokadë detare, nuk do të ketë kurrë negociata për çështjen bërthamore,” tha ai. “Negociatat nuk janë zhvilluar me telefon, siç pretendon Trump, por përmes Pakistanit dhe ndonjëherë përmes shkëmbimit të mesazheve me ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi.”
Araghchi, i cili së fundmi ka vizituar dy herë Pakistanin, tha se “Teherani është gati për diplomaci nëse SHBA ndryshon kërkesat e saj të tepruara, retorikën kërcënuese dhe veprimet provokuese.”
Sipas tij, forcat iraniane janë “plotësisht në gatishmëri dhe të përgatitura për të mbrojtur me vendosmëri kombin iranian ndaj çdo kërcënimi.”
Axios raportoi se Cooper e informoi Trump për rreth një orë mbi plane të reja operacionale për sulme në Iran. Sipas një raporti të mëparshëm, Komanda Qendrore kishte përgatitur një plan për një valë “të shkurtër dhe të fuqishme” sulmesh, që mund të përfshijnë objektiva infrastrukturore, me qëllim thyerjen e ngërçit në negociata dhe detyrimin e Teheranit të kthehet në tryezë me më shumë fleksibilitet për çështjen bërthamore.
CENTCOM ka përgatitur gjithashtu një plan për të marrë kontrollin e një pjese të Ngushticës së Hormuzit për ta rihapur atë për transportin tregtar, një operacion që mund të përfshijë edhe forca tokësore. Një tjetër opsion i diskutuar më parë është një operacion i forcave speciale për të nxjerrë rreth 450 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60% që mbahet nga Irani.
Që nga shpallja e armëpushimit më 7 prill, Trump nuk ka treguar shumë dëshirë për të rifilluar luftën. Pas kërcënimeve për të shkatërruar civilizimin iranian, ai ka zgjedhur në mënyrë të përsëritur diplomacinë. Megjithatë, ai synon të rrisë presionin ekonomik mbi regjimin iranian për ta detyruar të pranojë kërkesën e tij kryesore: çmontimin e programit bërthamor.
https://www.ynetnews.com/article/s1500fkza11l#autoplay