
Kandidatë të Ramës i quajti kreu i PD-së Berisha disa prej atyre që përjashtuan nga gara për zgjedhjet e 23 majit, duke nënkuptuar Ervin Salianjin dhe Alesia Balliun.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale ai tha se PD ka garën më të ndershme ndërsa përsëriti se nuk mund të lejoheshin në garë ata që marrin urdhra nga kryeministri e kanë punuar për të.
“PD ka garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë. Kryetarët e partive në partitë tona simotra, vetëm në një pjesë të vogël zgjidhen nga anëtarësia, të tjerët zgjidhen nga forumet. Mos bini pre e propagandës së atyre që zhdukën votën e lirë në PD. PD është nga ato parti të pakta në botë ku kryetari zgjidhet me votën e anëtarësisë. Në garë pranohen dhe do pranohen demokratët që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Besoj se kjo është gara më e rëndësishme e partisë, ndaj duhet të përfaqësojë anëtarësinë. Mund të imagjinosh që në garë të marrin pjesë kandidatë të Ramës apo në fushatë punojnë hapur kundër PD, apo ndërruan parti dhe punuan për parti tjetër. Në çdo parti në botë këto përjashtohen për tradhti në moment beteje ndaj partisë. Është jashtë çdo logjike që të mendohet se do të mund të kandidojnë”, tha ai.