
Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se në kuadër të aksionit për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë janë bllokuar 20 ton mallra.
Ky bllokim ka ardhur nga inspektimi i 87 subjekteve deri tani.
“Rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Ftojmë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturët fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori”, thuhet në këtë njoftim.
Aksioni i tatimeve ka krijuar ndërkohë konfuzion në të gjithë zinxhirin e tregtimit të mallrave bujqësore për shkak të paqartësisë për mënyrën si duhet të veprojnë me lëshimin e faturave.
Marketet e vogla mbeten pa furnizime qumështi; Tatimet sqarojnë si do të bëhen faturat
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) ka sqaruar për Monitor se referuar udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, të gjithë njësitë tregtare pa përjashtim që blejnë mallra nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar, të llojit autofaturim. Skema për faturimin e mallrave të blera direkt prej fermerëve, nga një market lagjeje, bar, restorant apo supermarkete të mëdhenj është e njëjtë, si në rastin e tregtimit të mallrave bujqësore apo blegtorale te përpunuesit apo grumbulluesit e mëdhenj.
Në fillim të aksionit Ministri i Financave Petrit Malaj dhe ministraj e Bujqësisë Anila Denaj thanë se përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor.
VINI RE: Ky material është pronësi inteleketuale e Monitor