Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja pranë arritjes së qëllimeve klimatike


BE-ja është thuajse në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e saj klimatike për vitin 2030, sipas të dhënave të reja, edhe pse përballet me thirrje në rritje për të dobësuar axhendën e saj mjedisore.

Komisioni Evropian do njoftojë javën e ardhshme se BE-ja është gjerësisht brenda objektivit për të ulur emetimet e gazrave serrë me 55 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990, sipas tre zyrtarëve të BE-së me njohuri për shifrat. Shkurtimet ishin parashikuar të ishin rreth 54 përqind, tha një zyrtar, shkruan FT.

Numrat do jenë një nxitje për komisionin dhe politikanët që ende mbrojnë angazhimet e bllokut për klimën pasi ekonomia evropiane mbeti e tronditur nga ndikimi i pandemisë Covid-19, kriza energjetike e nxitur nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Komisioni është përballur me presion për të zbutur legjislacionin e gjelbër, duke përfshirë një plan për të ndaluar motorët e rinj me djegie deri në vitin 2035, në mënyrë që të ndihmojë industrinë e sëmurë të makinave të Evropës, e cila po mbetet pas konkurrentëve kinezë dhe amerikanë.

Pjesa më e madhe e rënies së emetimeve të BE-së do vijë nga sektori i energjisë. Të dhënat do publikohen javë përpara se komisioni të përcaktojë se si blloku mund të arrijë objektivin e tij klimatik për vitin 2040, i cili duhet të arrijë në një pakësim 90 për qind të emetimeve. BE-ja është zotuar të arrijë zero neto deri në vitin 2050 – një nga objektivat më ambiciozë në botë.

Komisioni Evropian nuk pranoi të komentojë mbi shifrat.