Të paktën 27 persona u vranë dhe mbi 50 të tjerë u plagosën pas një sulmi ajror izraelit që goditi një shkollë në qendër të Gazës, e cila ishte kthyer në strehë për njerëzit e zhvendosur.
Lajmi u konfirmua nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS), që raportoi për viktimat dhe plagosjet pas këtij sulmi në zonën e Deir al-Balah, sipas The Guardian.
Zyrtarët mjekësorë palestinezë raportuan se numri i të vdekurve fillimisht ishte 21, por ky numër pritet të rritet ndërsa kërkimet vazhdojnë.
Sulmi ndodhi në mes të një valë të re bombardimesh nga forcat izraelite, të cilat kanë intensifikuar ofensivën e tyre në Gaza, duke përkeqësuar edhe më tej krizën humanitare.
Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023, Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar mbi 42,065 të vdekur në territoret palestineze, ndërkohë që sulmet ajrore dhe përleshjet tokësore vazhdojnë me intensitet të lartë.
Ky sulm ka ardhur në një kohë kur mbi 400,000 palestinezë janë të bllokuar nga ofensiva e fundit izraelite, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), duke shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në Gaza.
Kryeministri irlandez, pas një takimi me presidentin amerikan Joe Biden, shprehu shpresë për arritjen e një armëpushimi të mundshëm, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen.
Ndërkohë, presidenti Biden i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të minimizojë dëmet ndaj civilëve, sidomos në Liban, ku po zhvillohen gjithashtu përleshje me grupin Hezbollah.
Konflikti në Gaza po lë pasoja të rënda, me viktima të shumta dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturën civile, duke përfshirë sulmet mbi gazetarë dhe civilë të pafajshëm.
