Vendosni fjalën kyçe....

Takimi me ambasadoren Kim, Lindita Nikolla zbulon për çfarë biseduan


Pas takimit të zhvilluar më herët në Kryesinë e Kuvendit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka zbuluar detaje nga diskutimet mes saj dhe ambasadores së SHBA-ve, Yuri Kim.

Përmes një njoftimi për mediet, Nikolla bën me dije se me ambasadoren Kim ka diskutuar për avancimin dhe thellimin e reformave të rëndësishme.

Po ashtu u disktutua për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe avancimin e vetting-ut.

“Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot, në Kryesinë e Kuvendit, me Ambasadoren e ShBA, znj. Yuri Kim.

Gjatë takimit u bisedua mbi rolin edhe kontributin e rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë nën lidershipin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në avancimin dhe thellimin e reformave të rëndësishme, jetike për jetën e vendit, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; rëndësinë e avancimit të procesit të vetting-ut dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie të ndershëm, në shërbim të qytetarëve; bashkëpunimin e suksesshëm midis ShBA dhe Shqipërisë në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe NATO-s për dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë dhe mbështetjen e Ukrainës; bashkëpunimin dypalësh për rritjen e sigurisë dhe forcimin e paqes në rajon e më gjerë; rritjen e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan, edhe në kuadrin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve; nxitjen dhe mbështetjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh.”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sikurse vihet re, çështja e zgjedhjes së presidentit të ri nuk përmendet në temat e diskutimit të listuara nga Kuvendi, ndryshe nga sa u raportua më herët në medie.