Templates by BIGtheme NET

INTERVISTA E PANJOHUR / Vlahutin: Emërimi në Tiranë, arritja më e madhe e jetës time

FOTO COVER INTERVISTA E VLAHUTIN PER GLOBUS 2012
Nëse e keni parë Romana Vlahutinin të japë mesazhe të forta për reformën në drejtësi në Tiranë dhe të marrë pozitat e një zyrtareje të fuqishme, sot keni rastin të njihni gjenezën e karrierës së saj.

Vlahutin nuk është një diplomate karriere në BE, e as ndonjë person me rekorde suksesi. Tirana është eksperienca e saj e parë e punës si përfaqësuese e BE-së. Puna më e rëndësishme që ka bërë në të gjithë jetën e saj. Detajet i zbulon një intervistë e dhënë prej saj në vitin 2014, në revistën Globus.

Kjo intervistë nuk gjendet online, por Hashtag.al ka mundur të tërheqë revistën në bibliotekën e Zagrebit dhe të risjellë për publikun këtë intervistë të panjohur të zonjës Vlahutin.
Vlahutin rrëfen se maksimumi i saj deri në atë kohë ishte puna si këshilltare pranë ish-Presidentit kroat Josipoviç. Për këtë të fundit nuk i kursen asnjëherë elozhet në intervistë, ndërsa i quan thashetheme pretendimet e disa portaleve kroate mbi raportin e saj me Josipoviçin.

Në këtë intervistë Vlahutin rrëfen mahnitjen që kishte pësuar kur Baronesha Ashton e përzgjodhi për të drejtuar misionin e BE-së në Tiranë.
Intervista është zhvilluar kur zonja Vlahutin porsa ishte shkëputur nga zyra e Presidentit Josipoviç dhe ishte entuziaste për punën e re në Tiranë. Aq e lumtur shfaqet zonja Vlahutin, sa që emërimin e saj në Tiranë e ka quajtur në intervistë si një sukses të Zyrës së Presidentit Josipoviç.

Në vijim mund të lexoni të plotë intervistën e Vlahutin për Globus, publikuar më 10 Tetor 2014:

*****

Cila ishte gjëja më e rëndësishme që ndikoi në përzgjedhjen tuaj si shefe e Delegacionit të BE-së në Tiranë?

Sinqerisht, e vetmja gjë për të cilën jam e sigurt është që më pret shumë punë. Shqipëria në korrik të këtij viti mori statusin e vendit kandidat dhe kjo sjell një dimension të ri të kërkesave e të reformave që vendi duhet të kryejë në çdo aspekt, ç’ka e ballafaqon me sfida të reja shoqërinë shqiptare, shtetin shqiptar dhe Delegacionin e BE-së që unë do e kryesoj.  

Në Delegacionin e  BE-së në Shqipëri punojnë 67 persona, gjysma janë të punësuar lokalë dhe gjysma janë njerëz nga shtetet e BE-së. Bashkërisht ne duhet të gjejmë mundësitë më të mira të punës  në interes të Bashkimit Evropian dhe reformave të cilat presin Shqipërinë.
Unë nuk e di se çfarë ndikoi saktësisht që unë të marr këtë pozicion,  patjetër fakti që kam një lloj përvoje për të mbyllur përgatitjet dhe negociatat në procesin e tranzicionit, si dhe në marrëdheniet politike në rajon.

Vlahutin Globus me Logo 2
Si dukej përzgjedhja? Për çfarë të pyetën në intervistën përfundimtare?

Ishte e para dhe e vetmja punë që kam aplikuar në institucionet e BE-së. E kisha menduar gjatë dhe kisha vendosur me veten time që nëse do ishte e mundur duhej të shkoja në një mision të BE-së në një shtet dhe jo në selinë qendrore në Bruksel.

Kam përshtypjen që kështu siç jam unë, me përvojën që kam unë, do isha më efikase nëse merrem me punë konkrete që kërkojnë njohjen e procesit, aftësi analitike, por dhe aftësi të veçanta komunikimi pasi do duhet të komunikoj me një publik të larmishëm.

Procesi i përzgjedhjes ishte realitivisht i lehtë. Aplikohet nëpërmjet internetit. Në qoftëse i plotësoni kriteret, ju thërrasin në intervistë përpara një panelit të përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian. Në intervistë kërkojnë të kuptojnë jo vetëm mbi njohuritë e tua por edhe mbi aftësitë e tua, veçanërisht aftësitë drejtuese.

Pas kësaj faze, paneli zgjedh tre kandidatë të cilët shkojnë në intervistë me përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme, e cila udhëheq tre intervistat e fundit dhe zgjedh përfundimisht personin që ka profilin më të përshtatshëm dhe që do kryejë punën për të cilën zhvillohet konkursi.

Për mua ajo intervistë e fundit me Baroneshën Ashton ishte vërtetë mbresëlënëse. Ka zgjatur rreth dyfishin e kohës së parashikuar. Mund të themi pa frikë se ishte një intervistë serioze. Por ajo çfarë më befasoi dhe që për mua ishte e pabesueshme, ishte fakti se Baronesha Ashton më thirri personalisht për të më komunikuar vendimin e saj madje më bëri dhe urimet përkatëse.

Unë kam respekt pa fund për këto detaje në marrëdhëniet njerëzore. Ishte mundësia ime që të lija mbresa të mira para njerëzve si ajo, që në kuptimin profesional janë më lartë se unë.

Si ishin reagimet në media kur u mësua largimi juaj nga Presidenca kroate?

Prita që të mbaronin të gjithë elementet formalë të procesit përpara se t’ua thoja kolegëve që do të iki. Natyrisht Presidenti e dinte që në fillim. Biseda e parë të cilën kam bërë ka qenë me të. I kuptoi argumentet e mia, sepse ky angazhim i ri pesë-vjeçar në këtë pozicion ishte një opsion i shkëlqyer për të cilin kisha nevojë, si i thonë fjalës, kisha nevojë për sfida të reja profesionale.

Jam jashtëzakonisht kureshtare dhe dua shumë të mësoj, dua të përballem me situata të reja. Është logjike dhe krejt normale që njeriu të synojë që të bëjë përpara. Shumë njerëz më telefonuan dhe më uruan, për mua ishte i veçantë reagimi i njerëzve me të cilët kam punuar direkt.

Ka patur ndonjë interpretim jo-korrekt në portale të panjohura, të cilat e lidhin punën time të re me zgjedhjet presidenciale që do vijnë, megjithëse këto aludime nuk kanë lidhje me realitetin.

Së pari, jam plotësisht e bindur që Ivo Josipoviç, do zgjidhet përsëri si President i Kroacisë, dhe tjetra mendoj se fakti që një person nga stafi i tij zgjidhet për të drejtuar një mision të BE-së në një shtet tjetër, është diçka shumë pozitive për të gjithë ne, për zyrën e Presidentit, për Kroacinë, për të gjithë ne.

Vlahutin Josipovic Globus me Logo 1

Çfarë të pëlqente dhe çfarë të bezdiste gjatë kohës që punove në zyrën e Presidentit Josipoviç?

Më pëlqente fakti që kam punuar për një intelektual profesionist dhe zotëri. Në jetë ndodh rrallë që njeriu të ketë shansin të punojë me shefa të tillë.
Mendoj që në momentin kyç para vendimit për hyrjen e  Kroacisë në Bashkimin Evropian, treguam që Kroacia është shtet i pjekur  dhe i vetëdijshëm, e aftë për të marrë detyrimet të e një shteti demokratik evropian.

Ndonjëherë i kemi bërë ballë dhe frikës së zakonshme dhe paragjykimeve të cilat ekzistojnë në një pjesë të publikut kroat, veçanërisht me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën , por fundja kjo është puna e një zyrtari.

Ndihem tepër krenare për punën që kemi bërë në lidhje me pozicionin e kroatëve në Bosnjë Hercegovinë, mendoj që është meritë e drejtëpërdrejt e këtij Presidenti dhe Zyrës së tij adresimi i çështjes së pabarazisë  dhe pozitës së kroatëve në Bosnjë Hercegovinë.

Ajo çfarë nuk më ka pëlqyer ka qenë pjesa e komunikimit me publikun. Mendoj që ndonjëherë duhet më shumë depërtim dhe rezistencë për diskutimin e temave të rëndësishme për këtë vend.

A keni patur përkrahjen e kolegëve? A keni ndjerë ndonjëherë presionin politik ?

Kam patur përkrahjen e personit kyç, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Kam patur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kolegen Mladineo dhe kolegë të zyrës së Presidentit. Ka patur edhe ndonjë koleg me të cilët pjesërisht ose absolutisht nuk përputhemi, por unë i kam shprehur qëndrimet e mia shumë qartë, në mënyrë precize dhe i kam shpalosur përherë në Kolegjin e Këshilltarëve të Presidentit.

Nuk mund të them që kam përjetuar  tension, mbase sepse jam imune në këto lloj marrëdhëniesh. Ajo që ka qenë bezdi e përditshme, ishte një kulturë e tmerrshme thashethemesh, politike dhe çdo lloji tjetër, e cila është një kulturë e pranishme në shoqërinë tonë, por unë jam përherë shpërfillëse ndaj kësaj kulture dhe refuzoj të bëhem pjesë e saj.

Si ka qenë bashkëpunimi juaj me këshilltarin e shkarkuar Dejan Joviç?

Profesor Joviç nuk ka qenë i ngarkuar për politikën e jashtme dhe nuk kam patur ndonjë arsye për të diskutuar pjesë të punës me të. Në shoqëritë demokratike, njerëzit janë të lirë të shprehin qëndrimet e tyre, por ajo që e mendoj si të gabuar është kur zyrtarët shtetërorë imponojnë qëndrimet private të cilat janë të ndryshme nga linja zyrtare.

Gjërat këtu janë pafund të qarta: nëpunësi civil ose zyrtari nuk mundet të mbajë në publik një qëndrim privat, sepse shteti nuk e paguan të jetë person privat por të mbrojë interesat dhe të paraqesë qëndrimet të cilat janë zyrtare.
Nëqoftëse qëndrimi personal ndryshon thellësisht nga vija zyrtare, ekziston vetëm një mënyrë që kjo gjë të gjejë zgjidhje,  zgjidhja është të shkarkohet nga detyra zyrtari i dyzuar.

Mediat thonë se në Presidencë janë punësuar një numër i madh këshilltarësh. Është korrekt ky konstatim?

Në fund të fundit, Presidenti Josipoviç i merr me kokën e vetë vendimet dhe kush e njeh atë e di mirë këtë që po them unë. Ai njerëzit i dëgjon, i intereson të dëgjojë mendime të ndryshme, ka aftësi të dëgjojë dhe pikëpamje krejtësisht të kundërta, por nuk ka  ndonjë këshilltar që mund të vendosë në vend të tij. Qëllimisht në publik manipulohet me numrin e këshilltarëve ku të tillë klasifikohen edhe punonjës teknik të zyrës.

A e njihni kandidaturën tjetër rivale të Josipoviçit në zgjedhje Kolinda- Grabar- Kitarovic? Çfarë mendoni për të ?

Zonja Grabar –Kitarovic ka qenë kolegia ime nga Ministrinë e Punëve të Jashtme, jemi njohur në fillim të viteve 2000 kur kemi koinçiduarnë SHBA. Në atë kohë unë punoja shefe e Analitikës dhe Planifikimit. Mendoj që është diplomate e shkëlqyer, gjithmonë kemi bashkëpunuar mirë dhe me korrektësi, mua personalisht më vjen mirë që në serinë e zgjedhjeve për presidentin e shtetit kemi dhe grua kandidate, dhe qytetarët e Kroacisë do të vendosin kush do të jetë presidenti tjetër.
Megjithëse unë personalisht nuk kam asnjë dyshim në rezultat.

Si ishte atmosfera e largimit tuaj me kolegët në Presidencë?

Shumë më emocionale se ç’mund ta kisha menduar. Kemi patur pritjen e lamtumirës, kanë ardhur pothuajse të gjithë ambasadorët, miqtë e mi dhe kolegët, të gjithë njerëzit e dashur me të cilët kam bashkëpunuar. Sekretarët tanë, siguria, shoferë, kamarierë, protokolli, ka patur të qeshura dhe lot.

*****

Intervistoi: Bisera Fabrio
Regjistroi: Neja Markiçeviç
Të drejtat e autorit: GLOBUS

Përshtati në shqip: Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

1 Koment on "INTERVISTA E PANJOHUR / Vlahutin: Emërimi në Tiranë, arritja më e madhe e jetës time"

Më njofto
avatar
Seleksiono nga:   Më të rejat | Më të vjetrat | Më të votuarat
roshi
I ftuar

arritje e madhe duhet te jete per nje katundare nga kroacia qe vjen ne nje fshat si shqiperia!

wpDiscuz
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com

ăn dặm kiểu NhậtResponsive WordPress Themenhà cấp 4 nông thônthời trang trẻ emgiày cao gótshop giày nữdownload wordpress pluginsmẫu biệt thự đẹpepichouseáo sơ mi nữhouse beautiful